Makedonija Gj.P shumë shpejtë ka gjetur zëvendësuesin e David Atanaskoskit, i cili vetëm disa minuta më parë u prezantua te Partizani i Tiranës. Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se Fisnik Zuka është futbollisti që do luaj në krahun e majtë të mbrojtjes sezonin e ri te Makedonija Gj.P, skuadër kjo që udhëhiqet nga strategu shkupjan Muharem Bajrami.
Zuka menjëherë do i bashkohet skuadrës në Mavrovë, aty ku tashmë “verdhëkuqtë” janë vendosur disa ditë për të zhvilluar fazën kryesore të përgatitjeve në prag të ndeshjeve europiane.
Zuka ditë më parë u nda nga Renova, skuadër kjo që me shumë gjasa edicionin e ardhshëm nuk do të garojë në Ligën e Parë, ndërsa i njëjti rikthehet në qytetin e tij të lindjes, duke veshur këtë herë fanellën e Makedonija GJ.P.
Kujtojmë, Zuka është një prodhim i shkollës së FC Shkupit, me të cilën skuadër kishte luajtur edhe në Ligën e Parë, ndërsa i njëjti ka luajtur dhe me Rabotniçkin, kur janë në pyetje skuadrat nga kryeqendra jonë, derisa jashtë vendit kishte luajtur me Flamurtarin e Vlorës.
Me angazhimin e Zukës, Makedonija GJ.P ka përfituar në kualitet, por edhe përvojë në repartin difenziv, duke pasur parasysh se 26-vjeçari numëron mbi 150 ndeshje në elitën e futbollit vendor. (infOSport.mk)