Derisa futbollistët po vijojnë përgatitjet në Slloveni për ndeshjen e turit të parë të Ligës së Konferencës kundër armenëve të Ararat Yerevan, drejtuesit e Shkëndijës së Tetovës janë gati të prezantojnë një super përforcim në repartin e sulmit.
Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se “kuqezinjtë” nga Tetova veçmë kanë arritur akordin me reprezentuesin e Maqedonisë, Vlatko Stojanovskin, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës kroate të HNK Gorica.
25-vjeçari në këtë mënyrë pranon të rikthehet në Tetovë, por këtë herë për të veshur fanellën e Shkëndijës, me të cilën do të luaj në kualifikueset e Ligës së Konferencës.
Kujtojmë para se të transferohej jashtë vendit, Stojanovski për një vit e gjysmë mbronte ngjyrat e Renovës, nga e cila skuadër verën e vitit 2019-të bëri transferimin më të madh në karrierën e tij, duke u transferuar në rradhët e skuadrës franceze të Nimes Olimpik.
Ai me këtë skuadër luajti në 10 ndeshje, 6 prej të cilëve në Ligue 1, ndërsa 11 ndeshje të tjera zhvilloi në Ligue 2, me fanellën e skuadrës së FC Chambly, te e cila luajti në formë huazimi për 6 muaj.
Pasi nuk gjeti sërish hapësira te skuadra e Nimes, Stojanovski gushtin e vitit 2021 u transferua te kroatët e HNK Gorica, për të cilën skuadër në gjithsej 24 ndeshje, realizoi 3 gola.
Sa i përket Ligës së Parë, ku përveç me Renovën, kishte luajtur edhe me Metalurgun, Vlatko Stojanovski numëron 85 ndeshje, 28 gola të shënuar dhe 10 asistime. Ndërkohë sa i përket përfaqësueses së Maqedonisë, i njëjti me ekipin e parë ka zhvilluar 9 ndeshje, duke realizuar edhe dy gola, teksa debutimin e tij e kishte bërë me 16 nëntor të vitit 2019-të kundër Austrisë, kur edhe kishte shënuar golin debutues.
Vlen të theksohet gjithashtu se Stojanovski me Renovën në sezonin 2018/2019, me 18 gola të shënuar ishte shpallur golashënuesi më i mirë në LPFMV. (infOSport.mk)