FC Shkupi tashmë 4 ditë është vendosur në Turqi, aty ku po kryen fazën kryesore të përgatitjeve në prag të sfidës së parë europiane në Ligën e Kampionëve, kundër kampionëve të Gjibraltarit, Lincoln RED IMPS FC, njofton “infOSport.mk”.
Dje skuadra “bardheblu” nga Çairi zhvilloi edhe miqësoren e parë në tokën turke, duke luajtur me Tiranën, skuadrën kampione nga Shqipëria. Në këtë takim, në pjesën e dytë në lojë u inkuadrua edhe sulmuesi nga Xhamajka, Renaldo Cephas, i cili me shumë gjasa do të nënshkruajë me kampionët e vendit.
Bëhet fjalë për një sulmues 22-vjeçar, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës së Arnett Gardens FC nga Xhamajka, për të cilën skuadër në 18 ndeshje ka realizuar 7 gola. Ai mbulon mirë tre pozitat e sulmit, ashtu që do ishte një forcë shtesë për pjesën ofenzive të skuadrës nga Çairi, si në ndeshjet europiane, poashtu edhe për ndeshjet e sezonit të ri në Ligën e Parë, ku FC Shkupi sërish do të pretendojë titullin e kampionit.
Përveç tij, në ndeshjen me Tiranën u paraqitën edhe transferimet tjera të bëra gjatë kësaj merkatoje, si Aleks Zlatkov, i cili u paraqit si titullarë, Bllagoja Spirkoski, Antonio Kalanoski, Kristijan Ackovski dhe Mario Riçkov, futbollistë këta që u inkuadruan në pjesën e dytë. (infOSport.mk)