Milani vazhdon të kërkojë lojtarë të cilët janë me eksperiencë dhe të cilët tashmë mund të ndihmojnë ekipin që të bëjë hapin para edhe në arenën evropiane.
Mediat spanjolle bëjnë të ditur se “veterani” i radhës që kanë piketuar kuqezinjtë është një i sapolarguar nga Real Madrid, Marcelo.
Futbollisti brazilian nuk rinovoi me klubin dhe pas një dekade e gjysmë i dha lamtumirën “los blancos”. Milani kërkon të përfitojë nga kjo situatë dhe duket se është gati ta mirëpresë krahëhapur lojtarin i cili ka fituar 25 trofe në Madrid, duke e kthyer atë në një alternativë për Teo Hernandez.
Por pengesë bëhet kërkesa e lartë ekonomike e futbollistit, i cili përfitonte rreth 8,5 milionë euro në sezon te Reali. Milani nuk i ofron më shumë se gjysmën dhe kjo është pika ku kanë ngecur negociatat mes palëve.