Më në fund lajme të mira për gjithë sportdashësit në Komunën e Çairit, në të cilën sërish do të fillojë të gjallërojë palestra e njohur “Partizani”, por njëkohësisht në këtë komunë do të fillojë edhe ndërtimi i një pishine të re, e paralajmëruar shumë vite më parë, por që asnjëherë nuk u ndërtua deri më sot.
Tashmë si duket gjërat janë marrë më me seriozitet, pasi për këtë gjë direkt është angazhuar edhe Zv.Kryeministri i parë i vendit, Artan Grubi, bashkë me Kryetarin e Komunës së Çairit, në godinën e së cilës sot ndodhi edhe një takim pune mes dy të lartëpërmendurve, bashkë me Drejtorin e Agjencisë për Sport dhe Rini, Naumçe Mojsoski.
Ata edhe njëherë tjetër duke mos precizuar ndonjë datë, thanë se shumë shpejt do të fillojë rikonstruimi i Sallës së Sporteve “Partizan”, ndërsa paralelisht me të do të fillojë edhe ndërtimi i pishinës së re në Çair që do të jetë me përmasa moderne, ndërsa për të cilën pishinë procedurat teknike para ndërtuese kanë përfunduar.
Pas takimit në ambientet e Komunës së Çairit, nikoqir Visar Ganiu bashkë me Grubin, Mojsovskin, por edhe me kryetarin e Këshillit komunal të Çairit, Jetmir Asani vizituam sallën “Partizan”, e cila për momentin është në gjendje të mjerueshme. (infOSport.mk)