Epilogu i shortit për eliminatoret e kupave të Europës ka aktivizuar klubet pjesëmarrëse për grumbullim të informacioneve për ekipet rivale, në kërkim të përgatitjes sa më të mirë para përballjeve direkte. Shkëndija e Tetovës në Conference League do të ndeshet me FC Ararat dhe nga skuadra e Armenisë kanë gjetur një lidhje te kapiteni i Struga Trim&Lum, Bunjamin Shabani që ka luajtur në elitën armene me FC Shirak.
“Është e vërtetë se kam patur telefonata nga Armenia, qoftë direkt nga klubi apo edhe mediat e atjeshme. Më njohin dhe kërkojnë sa më shumë informacione rreth Shkëndijës. Më shumë media duan të kenë detaje pasi e vlerësojnë këtë duel”, thotë Shabani, i cili tregon rreth prononcimit të tij në Armeni.
“Nuk ka shumë filozofi çka mund të kem thënë. Shkëndija është skuadër që 7-8 vitet e fundit vazhdimisht kërkon titullin, me përjashtime të vogla, ka vite që bën mirë edhe në Europë ku falë rezultateve ka grumbulluar shumë pikë dhe jorastësisht ishte në vazon e favoritëve. Në formacion ka përzierje të lojtarë e me përvojë dhe talentëve me perspektivë dhe se kalimi i këtij raundi është prioritet për klubin, drejtuesit dhe tifozët”, është shprehur Shabani.
Më tej ai shkon të flasë për Araratin dhe në fakt si e sheh personalisht këtë duel.
“Për mendimin tim do të jetë duel i balansuar. Mendoj se Shkëndija ka gjasa të mira të kalojë, sepse më duket disi më e karikuar. Ararat ka humbur tre lojtarë të rëndësishëm dhe kjo ka bërë niveli i cilësisë të pësojë rënie. Nëse Shkëndija do të jetë në nivelin e saj të vërtetë, të luajë kujdesshëm dhe të shfrytëzojë shanset e saj, e shikoj të kualifikuar edhe pse mendoj se do jenë dy duele të balansuara me një Ararat që s’është aspak naiv”, përfundoi Shabani.