Skuadra e Ballkanit për herë të parë do të debutojë në ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampionëve. Skuadra nga Suhareka të martën në mesditë mësoi emrin e kundërshtarit të raundit të parë, derisa sot në mesditë “portokallinjtë” do të mësojnë edhe kundërshtarin eventual të raundi të dytë, njofton “infOSport.mk”.
Megjihatë për të menduar për raundin e dytë, fillimisht Ballkani do të duhet të eliminojë lituanezët e Zhalgiris.
Nëse skuadra e Ilir Dajës do realizonte këtë gjë, atëherë në rrethin e dytë eliminatorë do të luante me një nga skuadrat si, Viktoria Plzen nga Çekia, Malmo nga Suedia, apo edhe Bodo Glimt nga Norvegjia, nëse këta të fundit në rrethin e parë do të eliminonin kampionët e Ishujve Faroe, KI.
Kujtojmë ndeshjet e raundit të parë të Ligës së Kampionëve në program janë me datë 5/6 korrik dhe 12/13 korrik, ndërkohë ato të raundit të dytë do të zhvillohen me 19/20 korrik dhe me 26/27 korrik. (infOSport.mk)