Largime të reja nga kampionët e FC Shkupit

FC Shkupi aktualisht ndodhet në Ohër, ku po zhvillon fazën e parë të përgatitjeve në prag të ndeshjeve europiane, derisa drejtuesit e skuadrës po punojnë rreth përbërjes së ekipit. Në mungesë të emrave të rinj të zyrtarizuar nga ana e tyre, mësojmë se pjesë e FC Shkupit në pranverë nuk do të jenë edhe dy reprezentuesit e rinj, Aleksandar Gjurkovski dhe Marko Gjorgjievski, si dhe mbrojtësi Abdul Ruatubaje.

Kujtojmë më herët nga FC Shkupi u larguan edhe Fatih Ismaili, Konstantin Çeshmexhiev, Gjorgji Stoilov, Ardit Iljazi, si dhe Omar Imeri. Këtij të fundit i përfundoi huazimi nga skuadra turke e Bodrumspor, te e cila do të rikthehet sërish, ndërsa informacione të afërta me “infOSport.mk” bëjnë me dije se ekipit në stërvitje ende nuk i është bashkuar Marjan Radeski dhe Valid Hamidi.

Ndërkohë kur jemi tek prurjet e reja, siç kemi njoftuar më herët, pjesë e FC Shkupit në sezonin e ri do të jenë Kristijan Ackovski, i cili vjen nga rradhët e Bregallnicës, Antonio Kalanoski nga rradhët e Sileksit, si dhe Melos Bajrami, mbrojtësi kosovar që në Çair vjen nga ekipi i Skënderbeut.

Që të tre janë pjesë e stërvitjeve të ekipit “bardhekaltër” në Ohër, ashtu që shumë shpejt drejtuesit e ekipit do të bëjnë edhe prezantimin e tyre. (infOSport.mk)

Leave a Reply