Edhe pse FC Shkupi e kishte joshur me një ofertë më të majme, Bunjamin Shabani megjithatë edhe sezonin e ardhshëm do të vazhdojë të mbajë veshur fanellën e Struga Trim Lum, njofton “infOSport.mk”.
Shabani ishte një ndër futbollistët më të dalluar edicionin e kaluar te Struga Trim Lum, ku mbante edhe shiritin e kapitenit. Pikërisht vlerësimi, por edhe korrektësia e deritanishme e drejtuesve të Struga Trim Lum, kanë bërë që Shabani të pranojë ofertën e re, e cila është më e lartë se ajo e vitit të kaluar.
Në këtë mënyrë Struga Trim Lum po konfirmon ambiciet e larta që ka për sezonin e ardhshëm, ku me siguri se do të pretendojnë vendet që sigurojnë Europën.
Kujtojmë ekipi strugan gjatë ditës së djeshme prezantoi golashënuesin më të mirë në historinë e futbollit vendor, Besart Ibraimi, ndërsa deri në mbyllje të merkatos, nga tabori i struganëve kanë paralajmëruar edhe 2-3 super përforcime.
Ditëve në vijim pritet që të shpalosin edhe emrat e futbollistëve tjerë, me të cilët do të vazhdojnë bashkëpunimin, ashtu siç bënë sot me kumanovarin Shabani, i cili ka përvojë shumë të madhe në futbollin elitar, ku numëron më shumë se 200 ndeshje, 62 prej të cilëve me fanellën e Struga Trim Lum. (infOSport.mk)