Berat Imeri trajner i ri i Voska Sport

Tetovari Berat Imeri edhe zyrtarisht prej sot është emëruar në postin e trajnerit te skuadra e Voska Sport, që edicionin e kaluar luajti në ndeshjen e balotazhit për inkuadrim në Ligën e Parë, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra shqiptare nga Ohri, si debutuese në Ligën e Dytë – Perëndim, bëri një super sezon, duke arritur të shpallet nënkampion, menjëherë pas Sileksit, mirëpo përvoja dhe mungesa e ndeshjeve të mëdha, bënë që ata të humbasin ndeshjen vendimtare kundër Tikveshit.

Megjithatë nga Voska Sport, nuk dorëzohen dhe besojnë se me Berat Imerin në krye do të vazhdojnë punën aty ku edhe lanë gjatë edicionit të kaluar, duke kërkuar që të përsërisin, apo edhe të tejkalojnë atë sukses, për të plotësuar ëndërrën, inkuadrim në Ligën e Parë.

Siç paralajmërojnë nga kjo skuadër, ditëve në vijim trajneri i ri në bashkëpunim me Drejtorin Sportiv, Artan Borova, do të ulen së bashku, për të punuar rreth angazhimit të futbollistëve të rinj, por njëkohësisht edhe për rinovimin e kontratave me disa prej futbollistëve titullarë të edicionit të kaluar, ndërsa gjithsesi se këtu do të ketë vend edhe për largime nga kjo skuadër, që tashmë shumë shpejtë do të bëjë planin edhe rreth fillimit të përgatitjeve për sezonin e ri.

Kujtojmë, Berat Imeri konsiderohet si një ndër trajnerët më me perspektivë në vendin tonë, teksa i njëjti vite me rradhë ka punuar me të rinjët e Shkëndijës, ndërsa një periudhë ka udhëhequr edhe skuadrën e Korabit nga Dibra.  (infOSport.mk)

 

Leave a Reply