Maqedonisë i mjaftoi pjesa e parë, në pjesën e dytë debutoi edhe Et’hemi (VIDEO)

Përfaqësuesja e Maqedonisë pa shumë probleme ka mundur Gjibraltarin në ndeshjen e xhiros së katërt në kuadër të grupit 4 të Ligës “C”, njofton “infOSport.mk”. Të besuarit e trajnerit Bllagoja Milevski zhvilluan një 45 minutësh të parë perfekt, ku edhe shënuan 4 golat e fitores. Pra 4:0 ishte rezultati përfundimtarë i këtij takimi, që rikthen Maqedoninë fuqishëm në garë edhe për pozitën e parë, pas barazimit pa gola të Gjeorgjisë përballë Bullgarisë në Tbilisi.

Pas 4 xhirove të para, Gjeorgjia numëron 10 pikë, ndërsa Maqedonia 7, duke lënë pas Bullgarinë me 2 pikë dhe Gjibraltarin në vendin e fundit me vetëm 1 pikë.

Këta të fundit sot në arenën “Todor Proeski” nuk mundën të ju bëjnë ballë sulmeve të futbollistëve “verdhekuq”, të cilëve u mjaftoi vetëm pjesa e parë.

Enis Bardhi hapi serinë e golave me një super ekzekutim të goditjes së dënimit nga një distancë prej rreth 27-28 metrash.

Pas këtij eurogoli të Bardhit, në skenë doli ish sulmuesi i Renovës, Bojan Miovski, aktualisht pjesë e MTK Budapest, i cili brenda dy minutave shënoi dy gola.

Golin e tij debutues me fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë, Miovski e realizoi në minutën e 14-të, kur me kokë në tollovinë e shfaqur para portës mysafire shënoi për 2:0, ndërsa vetëm dy minuta më pas, duke përfituar nga  një devijim i topit nga ana e mbrojtësve të Gjibraltarit, shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Maqedoninë në këtë ndeshje.

Mirëpo këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar, pasi në minutën e 31-të, pas disa super kombinimeve, e që gjithçka ishte nën idejën e Bardhit, Çurlinov shënoi edhe golin e katërt në rrjetën e mysafirëve, pasi mjaft mirë u shërbye para zonës së 5-metërshit nga ana e Todorovskit.

Në fillimin e pjesës së dytë, seleksionuesi Bllagoja Milevski bëri tre ndryshime përnjëherë, duke inkuadruar në lojë futbollistët si, Valon Et’hemi, Enis Fazlagiç dhe Bojan Dimoski, në vend të Ezgjan Alioskit, Enis Bardhit dhe Darko Çurlinov.

Për tetovarin Et’hemi, aktualisht pjesë e skuadrës turke të Istanbulspor, ishte kjo ndeshja debutuese në një ndeshje zyrtare me fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë, për të cilën shpresojmë se do të kontribuojë në të ardhmen. Ndeshjet e rradhës në kuadër të Ligës së Kombeve, përfaqësuesja e Maqedonisë do ti zhvillojë në muajin shtator, kur fillimisht me  datë 23 do të jemi mysafir të Gjeorgjisë, ndërsa 3 ditë më vonë gjithçka do të mbyllim me ndeshjen kundër Bullgarisë. (infOSport.mk)

Leave a Reply