Super Kosova shkëlqen, super Muriqi shënon, i gjithë “Fadil Vokrri” po feston (VIDEO)

Përfaqësuesja e Kosovës ka dhuruar një super paraqitje para tifozëve të saj, duke mundur Irlandën e Veriut me rezultat 3:2, njofton “infOSport.mk”.

Ndeshja i takonte xhiros së tretë në grupin 2 të Ligës “C” në kuadër të Ligës së Kmbeve, me “dardanët” që në fund regjistruan fitoren e dytë, duke vazhduar ëndërrën e Europianit.

Vedat Muriqi edhe njëherë tjetër tregoi se është i lindur për gola, duke realizuar “dopietë”, ndërsa një gol tjetër për Kosovën realizoi Zymer Bytyqi.

Me dy golat e shënuar ndaj irlandezoveriorëve, Muriqi arriti në shifrën e 20 golave të shënuar me fanellën e përfaqësueses së Kosovës, për të cilën numëron 40 ndeshje.

Golin e parë Muriqi e realizoi në minutën e 9-të nga pika e bardhë, ndërsa 10 minuta më pas, Zymer Bytyqi i Konjaspor shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e mysafirëve, të cilët u zgjuan në fundin e pjesës së parë, kur me anë të Lavery rikthyen shpresat.

Megjithatë Muriqi i ndëshkoi ata edhe njëherë tjetër në minutën e 52-të, ndërsa gjithçka që mundën të bëjnë irlandezoveriorët, ishte goli i dytë i shënuar nga Ballard në minutën e 83-të, që në fund vlente vetëm për statistikë.

Në fund festë dhe gëzim në mesin e gjithë “dardanëve”, përfshirë këtu edhe tifozët në stadiumin “Fadil Vokrri”, që në këtë mënyrë nderuan legjendën me këtë emër, që sot mbushte 4 vite nga ndarja nga kjo Botë.

Kosova me 6 pikë renditet në pozitën e dytë, me 3 pikë më pak se Greqia, kundërshtarit të rradhës, me të cilët “dardanët” do të përballen me 12 qershor, këtë herë në Athinë. (infOSport.mk)

Leave a Reply