Nuk mjafton vetëm Broja, Izraeli me përmbysje mund Shqipërinë midis Tiranës (VIDEO)

Kombëtarja e Shqipërisë ka pësuar një disfatë të papritur në “Air Albania Stadium” nga Izraeli me rezultatin 1:2, njofton “infOSport.mk”. Përkundër avantazhit që kishin “kuqezinjtë” pas 45 minutave të para, pasoi një pjesë e dytë në të cilën edhe pse të përzgjedhurit e trajnerit Edi Reja luajtën më mirë në fund pësuan dy gola, duke humbur ndeshjen.

Pjesa e parë doli të jetë shumë e mirë për Shqipërinë, ku i gjithë ekipi ishte i jashtëzakonshëm me performancën e tyre.

“Kuqezinjtë” tentuan disa herë portën e izraelitëve por nuk ia dolën të realizojnë. Uzuni në minutën e 21-të fitoi një penallti, por VAR e anuloi.

Pas disa tentativash, Izraeli në minutën e 30-të u afrua shumë pranë golit me një goditje me kokë. 5 minuta më pas, ishte Armando Broja i cili goditi me të majtën por portieri i miqve ishte i vëmendshëm, teksa në minutën e 45-të falë penaltisë së fituar nga Balliu, Armando Broja dërgoi topin në rrjetë, duke bërë që tifozët e pranishëm në “Air Albania Stadium” të shpërthejnë në festë.

Por pjesa e dytë ishte ndryshe nga aspekti i rezultatit. Izraeli në minutën e 57-të shënoi një gol mjaft të bukur me anë të Solomon, duke barazuar shifrat në 1:1. Shqipëria filloi të tentonte disa herë të kalonte në avantazh, mirëpo në fund ishte Izraeli që shënoi edhe golin e dytë në minutën e 73-të sërish me anë të Solomon. Çekiçi tentoi nga jashtë zone të barazonte por topi kaloi mbi traun e portës.

Më pas pranë fundit Hysaj shënoi por VAR anuloi golin, ndërsa në këtë mënyrë të paktën i mohoi edhe barazimin kombëtares shqiptare, që pas dy ndeshjeve të para në kuadër të grupit 2 në Ligën “B” renditet në pozitën e tretë me vetëm 1 pikë, derisa Izraeli me 4 pikë renditet në pozitën e parë, para Islandës që ka tubuar 2 pikë.

Kombëtarja e Shqipërisë të hënën zhvillon miqësoren kundër Estonisë, ndeshje kjo që zhvillohet sërish në tokën shqiptare, derisa sa u përket ndeshjeve në kuadër të Ligës së Kombeve, pikërisht Izraeli është kundërshtari i rradhës i “kuqezinjëve”, ndeshje kjo që në program është me datë 24 shtator në tokën izraelite. (infOSport.mk)

Leave a Reply