Ish futbollisti i FC Shkupit, Bllagoja Ljamçevski, i cili së fundmi ishte pjesë e Tikveshit, sezonin e ri do të luaj në Ligën e Dytë me ekipin e vendlindjes së tij, Pelisterin, njofton “infOSport.mk”.
Ljamçevsvki tashmë dy vite të plota ishte pjesë e Tikveshit, me të cilën skuadër edicionin e kaluar në Ligën e Parë luajti në 30 ndeshje, duke regjistruar 3 gola dhe 4 asistime, ndërsa gjithashtu kishte shënuar një super gol në ndeshjen e balotazhit kundër Voska Sport, në të cilën skuadra nga Kavadari shënoi fitore 4:1, duke ruajtur në këtë mënyrë statusin e skuadrës elitare.
Është kjo hera e katërt që Ljamçevski do të veshë sërish fanellën e Pelisterit, ndërsa vlen të theksohet se gjatë karrierës së tij, i njëjti gjithashtu ka luajtur edhe me Makedonija GJ.P, Rabotniçkin, Pobedën, Metalurgun, Vardarin, FC Shkupin dhe së fundmi me Tikveshin.
35-vjeçari Ljamçevski në Ligën e Parë numëron plotë 234 ndeshje, ku ka regjistruar edhe 11 gola dhe 22 asistime.
Përveç me Ljamçevskin, Pelisteri ka nënshkruar edhe me portierin Ilçe Petrovskin, një tjetër ish i skuadrës nga Manastiri. Që të dy u prezantuan nga Drejtori Sportiv, Vanço Micevski, ndërsa është ky një realizim i premtimit të drejtuesve të rinj të Pelisterit, se në këtë merkato do të punojnë më së shumti në rikthimin e futbollistëve nga Manastiri, të cilët pritet që të bëjnë më të mirën për skuadrën e tyre të zemrës në Ligën e Dytë unike, me shpresë se shumë shpejtë do të rikthehen në elitën e futbollit vendor. (infOSport.mk)