KF Llapi gjatë ditës së sotme ka bërë goditjen më të madhe në merkato, teksa ka prezantuar golashënuesin më të mirë të edicionit të kaluar në Superligën e Kosovës, Gerhard Progni,njofton “infOSport.mk”.
Ky i fundit u largua nga Gjilani pas tre viteve të kaluara në Superligë, aty ku zhvilloi plotë 92 ndeshje, duke regjistruar 40 gola dhe 10 asistime. Edicioni i fundit ishte më i miri për tropojanin, kur në 31 ndeshje realizoi 19 gola.
Mirëpo edhe përkundër këtyre shifrave, drejtuesit e Gjilanit nuk vendosën për të vazhudar kontratën me këtë goleador, i cili në sezonin e ri do të vazhdojë të tund rrjetat me fanellën e Llapit, fituesit aktual të Kupës së Kosovës.
Progni tek Llapi vie si ndihmesë e madhe për fazën e sulmit në prag të ndeshjeve evropiane si dhe edicionit të ri të Superligës. Ai me skuadrën nga Podujeva ka nënshkruar kontratë një vjeçare, teksa menjëherë ka filluar stërvitjet me grupin e futbollistëve.
Ndryshe gjatë karrierës së tij, Progni ka qenë pjesë e skuadrave më të njohura shqiptare, si Partizani, Dinamo, Skënderbeu, Besa e Kavajës, Flamurtari dhe Teuta, ndërsa gjithashtu ka patur edhe një aventurë të shkurtër 6 mujore në Azerbejxhan me skuadrën e Zira. (infOSport.mk)