Zekirja Ramadani, ashtu edhe siç paralajmëruam sezonin e ri do të drejtojë klubin e njohur kosovar të Gjilanit. Një gjë të tillë “infOSport.mk” kishte paralajmëruar që me 16 maj, atëherë kur strategu shkupjan ende po drejtonte ekipin e Egnatias në Supelrigën shqiptare, me të cilën skuadër i’a arriti qëllimit që të mbetet pjesë e elitës së futbollit shqiptarë.
Me të shkëputur kontratën me skuadrën nga Rrogozhina, u bë e qartë se Kosova do të ishte destinacioni i tij i rradhës, aty ku Ramadani në të kaluarën kishte fituar 3 tituj kampion, me tre skuadra të ndryshme, Trepçën ’89, Feronikelin dhe Prishtinën.
Me të njëjtin synim Ramadani vjen edhe te Gjilani, drejtuesit e së cilës skuadër i ofruan atij kontratë dy vjeçare.
Mbetet të shihet nëse Ramadani vërtetë do kap majat e futbollit kosovar me Gjilanin, skuadër kjo që vite me rradhë po pretendon titullin kampion, mirëpo nuk po i’a arrinë qëllimit, pavarësisht se ishte udhëhequr nga strateg të mëdhenj, përfshirë këtu së fundmi edhe Ismet Munishin. (infOSport.mk)