Ardian Cuculi, i cili ditë më parë u nda me Dritën e Gjilanit, për momentin është një lojtar i lirë, mirëpo jo edhe për gjatë kohë.
Për shërbimet e mbrojtësit kërçovarë interesohen skuadrat më të mira nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kështu thotë vetë Cuculi, i cili foli për TV Klan Maqedoni.
“Vërtetë kam oferta mjaftë tërheqëse nga ekipet më të mira të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Tani për tani nuk dua të spekuloj për të ardhmen time, por së shpejti opinioni do të njoftohet me ekipin tim të ri” – është shprehur Ardian Cuculi, i cili te Drita e Gjilanit luajti për tre vite të plota.
Ai skuadrës nga Gjilani iu bashkua verën e vitit 2019-të, ndërsa që në edicionin e parë arriti që të shpallet kampion.
34-vjeçari Cuculi këtë vit me Dritën luajti edhe në finalen e Kupës së Kosovës, mirëpo dështuan për ta fituar atë, pasi u mundën nga Llapi me rezultatin 2:1.
Ndryshe gjatë karrierës së tij, Cuculi numëron 3 tituj kampion, përfshirë këtu edhe dy titujt kampion me Shkëndijën, me të cilën skuadër në vitin 2016-të kishte fituar edhe Kupën e Maqedonisë, ndërsa në vitin 2019, një gjë të tillë kishte bërë me Kukësin, duke fituar Kupën e Shqipërisë. (infOSport.mk)