Kampioni te kampionët! Kështu e kanë përshkruar transferimin e Leonit Abazit nga KF Ballkani, skuadër kjo që në këtë mënyrë bëri transferimin e parë në kuadër të ndeshjeve europiane, njofton “infOSport.mk”.
Abazi te KF Ballkani vjen nga rradhët e Prishtinës, me të cilën skuadër vitin e kaluar bashkë me Zekirja Ramadanin në krye ishin shpallur kampion.
Megjithatë ky nuk është titulli i vetëm në karrierën e 28-vjeçarit gjilanas, i cili 3 herë rradhazi kampion ishte shpallur edhe në Superligën shqiptare, duke qenë pjesë e Skënderbeut, me të cilën skuadër gjithashtu kishte fituar edhe dy SuperKupa.
Abazi me KF Ballkanin ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare, ndërsa i njëjti në hapësirat e klubit nga Suharreka u prezantua nga Drejtori Sportiv i kësaj skuadre, shkupjani, Nderim Nexhipi.
Kujtojmë Abazi karrierën profesioniste e kishte nisur në vendlindjen e tij, duke veshur fanellën e Dritës së Gjilanit, nga e cila skuadër verën e vitit 2013-të ishte transferuar te Skënderbeu i Korçës, ku edhe kishte shënuar rezultatet më të mira në karrierë, duke luajtur me këtë skuadër edhe në grupet e Liga Europa. (infOSport.mk)