Shkëndija në bisedime të avansuara me trajnerin portugez, Monroj

Shkëndija është në kërkim të një trajneri të mirëfilltë, teksa informacione të afërta me “infOSport.mk” bëjnë me dije se drejtuesit e skuadrës nga Tetova janë në bisedime të avansuara me strategun portugez, Haime Monroj.

Bëhet fjalë për një strateg, i cili së fundmi ishte pjesë e Ksantit, duke qenë trajner i Besart Ibraimit në 4 xhirot e fundit, derisa gjatë karrierës së tij qoftë si ndihmës trajner, si Drejtor Sportiv, apo edhe si skaut, ka punuar nëpër skuadrat më të mëdha europiane.

Ai zanatin e trajnerit e kishte ushtruar fillimisht në vitin 2004, kur kishte udhëhequr për dy vite ekipin e të rinjëve të Salgueirosh, që më pas nga viti 2006 deri në vitin 2008 të drejtojë ekipin U15 të Boavistas.

Falë zotësive të tij dhe njohjes së mirë të futbollistëve të rinj, ai nga viti 2008 deri në vitin 2009 punoi si skaut i skuadrës më të madhe portugeze të Portos, ndërsa për një vit të plotë (2012-2013) kishte luajtur edhe rolin e drejtorit të përgjithshëm tek grupmoshat e reja të Milanit.

Po në vitin 2013 ai pranoi të jetë ndihmës trajner te skuadra azere e FK Baku, teksa vetëm një vit më pas të marrë detyrën e kryetrajnerit tek ekipi i të rinjëve të Alcorcon në Spanjë.

Verën e vitit 2015-të, Monroj provoi vetën edhe tek shkolla e të rinjëve të Barcelonës si trajner, që më pas nëntorin e vitit 2016-të të marrë detyrën e Drejtorit Sportiv, por njëkohësisht edhe të trajnerit te skuadra e FC Sydeny Olympic në Australi.

Përvoja e tij e rradhës ishte si skaut te Atletiko Madridi, që më pas verën e vitit 2019-të, të bëhet ndihmës trajner te ekipi U23 i Lids Junajted, e më pas edhe te ekipi i parë, duke ndihmuar strategun e njohur argjentinas, Bielsa.

Atë kohë pjesë e skuadrës angleze ishte edhe futbollisti shqiptarë, Ezgjan Alioski, ndërsa përvoja e fundit e Haime Monroj, kandidatit potencial për trajner te Shkëndija, ishte skuadra greke e Ksantit.

Është kjo “CV” e pasur e strategut 40-vjeçar nga Portugalia, i cili pritet që te Shkëndijës të sjellë një freski, duke preferuar që më shumë të punojë me futbollistët e rinj, e që te skuadra “kuqezi” nga Tetova janë me bollëk. (infOSport.mk)

Leave a Reply