Kombëtarja e Ukrainës është shumë pranë për të realizuar ëndërrën “Qatar 2022”, pasi sonte në ndeshjen gjysmëfinale të balotazhit morri një fitore të madhe ndaj Skocisë në transfertë me rezultatin 3:1, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja u zhvillua në “Hampden Park” në Gllazgou në një atmosferë të shkëlqyer.
Ukraina kaloi në epërsi në minutën e 33-të falë golit të shënuar nga Andrij Jarmolenko. Ky gol doli të jetë i vetmi i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa në të dytën ndeshja ishte shumë më efikase, ku u shënuan edhe 3 gola të tjerë.
Sulmuesi i Benfikës, Roman Jaremçuk, në minutën e 49-të shënoi edhe golin e dytë për Ukrainën, derisa në minutën e 79-të, Kallum MekGregor riktheu shpresat e skocezëve duke ngushtuar rezultatin në 1:2.
Megjithatë të kota ishin shpresat e vendasve se mund të çojnë ndeshjen drejt vazhdimeve, pasi Artem Dovbyk në minutat shtesë të takimit shënoi edhe golin e tretë për Ukrainën, që në këtë mënyrë siguroi finalen kundër Uellsit të Garet Bejll.
Kjo ndeshje në program është me datë 5 qershor, teksa skuadra fituese do të pres biletën për në “Qatar 2022” në fund të vitit.
Kujtojmë ndeshja midis Skocisë dhe Ukrainës fillimisht ishte planifikuar të zhvillohet gjatë muajit mars, mirëpo për shkak luftës e njëjta u shtye. (infOSport.mk)