Xhakomo Vrioni është shpallur sot golashënuesi më i mirë në kampionatin austriak të futbollit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, ka luajtur me Tirol ndeshjen e fundit të këtij edicioni, atë të “play-off” për pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës ndaj Rapid të Vjenës.
Skuadra e tij u mund 2:0 dhe nuk siguroi Europën, por për sulmuesin shqiptar ishte gjithsesi një edicion shumë i suksesshëm pasi në fund të sfidës u nderua me trofeun e golashënuesit më të mirë të Bundesligës austriake.
Vrioni e mbylli kampionatin me 19 gola të shënuar, duke ndarë vendin e parë me yllin e Salzburg, Karim Adejemi i cili do të transferohet te Borusia Dortmund në Gjermani.
Një arritje e shkëlqyer për sulmuesin e huazuar nga Juventusi, i cili në këtë mënyrë theu rekordin e vendosur 11 vite më parë nga Hamdi Salihi, kur janë në pyetje futbollistët shqiptarë.
Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare, duke luajtur asokohe me fanellën e Rapid Vjenës, shënonte 18 gola në kampionatin austriak, me Vrionin që e kaloi këtë shifër pikërisht falë rrjetës së tundur në ndeshjen e pak ditëve më parë ndaj Rapidit.