Artim Shaqiri nis spastrimin te Shkëndija, e pësojnë të huajt!

Shkëndija edicionin 2021/2022 e mbylli në pozitën e tretë, jashtë çdo ambicie, duke pasur parasysh buxhetin që posedon kjo skuadër, por edhe sponzorin gjeneral në emrin e “Ecolog” që i qëndron pas tashmë disa vite, shkruan “infOSport.mk”.

E mira e gjithë kësaj është se Shkëndija për të 11-tin vit me rradhë do të luaj në arenën ndërkombëtare, këtë herë në Ligën e Konferencës, aty ku do të luajnë edhe Makedonija GJ.P dhe Akademia Pandevi.

Si “fajtorë” për një sezon jo edhe aq të begatshëm, mund të llogariten edhe drejtuesit e skuadrës, të cilët bënë disa largime shumë të paqarta, duke sjellë në rradhët e tyre futbollistë aspak të njohur për tregun tonë, e që nuk arritën të bëjnë dallimin.

Pikërisht kjo bëri që më në fund te Shkëndija postin e drejtorit sportiv t’ia besojnë një emri të njohur në futbollin tonë vendor, por edhe më gjërë, Artim Shaqirit. Ky i fundit madje sezonin e mbyllur në disa ndeshje luajti edhe rolin e trajnerit kryesor, pas shkarkimit të Bruno Akrapoviç, ndërsa duke filluar nga edicioni i ri, strugani për detyrë do të ketë të bëjë selektimin e ekipit, por gjithnjë në bashkëpunim me trajnerin e ri, i cili ende nuk është emëruar.

Edhe pse përfliten disa emra, si ai Ismet Munishit të Kosovës, Aleksandar  Vasoskit të Sarajevës, apo edhe ai i kroatit Dino Skender, për momentin nuk ka asgjë zyrtare, ndërkohë jo zyrtarisht mësojmë se Shaqiri ka vendosur që të lirojë nga obligimet tre futbollistët e huaj, sllovakun Jan Krivak, brazilianin Andre Mensalo dhe kamerunasin, Xhesie Guera Djou. (infOSport.mk)

Leave a Reply