Piotr Zielinski mund të largohet nga Napoli gjatë merkatos së verës. Për mesfushorin polak, në fakt, duket se është vënë në lëvizje skuadra kampione e Gjermanisë, Bajerni i Munihut.
Një gjë të tillë ka pohuar e përditshmja prestigjioze italiane “La Gazzetta dello Sport”, sipas së cilës drejtuesit bavarez veçmë kanë kontaktuar menaxherët e lojtarit për të kuptuar nëse operacioni është i realizueshëm.
Themi i realizueshëm, kjo pasi në kontratën më të re që Zielinski e nënshkroi me “napolitanët” verën e vitit 2020, mes palëve ekziston një klauzolë, sipas së cilës klubi që do të dëshirojë të marrë shërbimet e polakut, do të duhet të paguaj një klauzolë në vlerë prej 100 milion eurove.
Një shumë marramendëse kjo që frikëson çdo klub. Megjithatë, gjithmonë sipas “Gazzetta dello Sport”, presidenti De Laurentis është i gatshëm të dëgjojë oferta për çdo lojtar, përfshirë këtu edhe Zielinskin, i cili do të lihej i lirë edhe për një shumë prej 40 milionë euro.
Në 42 ndeshjet e luajtura në të gjitha kompeticionet me Napolin e tij gjatë këtij sezoni, mesfushori 28-vjeçar ka regjistruar 8 gola dhe 5 asiste.