Sonte do të zhvillohet finalja e madhe e Kupës së Kosovës mes Dritës dhe Llapit.
Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të jetë nikoqir i ndeshjes finale, në të cilën pritet të ketë shumë paqartësi, kur kemi parasysh se mejdanin do të ndajnë dy skuadra mjaft të mira, që edicionin e kaluar rrëmbyen të dy titujt. Drita e Ardian Nuhiut u shpall kampione, derisa Llapi i Batatinës fitoi trofeun e Kupës.
Pra për dallim nga Llapi, që sonte do të tentojë të mbrojë trofeun e vitit të kaluar, në anën tjetër Drita e Gjilanit do të kërkojë që ta rikthejë në vitrinat e saj këtë trofe pas plotë 21 vitesh
Si Drita, ashtu edhe Llapi tashmë kanë arritur synimin e tyre kryesor të sezonit, daljen në garat evropiane, ashtu që sonte në “Fadil Vokrri” presim një futboll mjaft cilësor, që do kënaqte të pranishmit në shkallët e stadiumit, por edhe gjithë ata që do e ndjekin përmes ekraneve televizive.
Ndeshja Drita – Llapi starton në ora 20:00.