Tikveshi dhe Skopje edhe edicionin e ri do të luajnë në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, pasi sot në ndeshjet e balotazhit treguan se për momentin janë më të mirë dhe më të përgatitur se dy skuadrat nënkampione të Ligës së Dytë, Voska Sport, gjegjësisht Bellasica, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra nga Kavadari në ndeshjen e zhvilluar në Strumicë mundi Voska Sportin me shifrat 4:1, ndërkohë në stadiumin e qytetit në Shtip, Skopje me rezultatin 2:1 mundi Bellasicën.
Hero i skuadrës shkupjane nga lagjja e Hekuranës doli të jetë ish futbollisti i FC Shkupit, Filip Janevski, i cili realizoi që të dy golat për Skopjen, ndërkohë golin e vetëm për Bellasicën në këtë përballje e realizoi Dimitar Trajkov në minutën e 52-të, kur përkohësisht kishte barazuar rezultatin.
Kësisoj Bellasica dhe Voska Sport edhe edicionin e ardhshëm do të luajnë në Ligën e Dytë, që këtë herë do të garojë në vetëm një ligë të përbashkët, që do të përbëhet nga 16 skuadra. (infOSport.mk)