Мançester Siti sërish shpallet kampion në Angli. Skuadra e Pep Guardiolas arriti deri tek titulli kampion vetëm në xhiron e fundit edhe atë përmes një drame të vërtetë.
Skuadra e Sitit shënoi fitore 3:2 përballë Aston Villas, edhe përkundër faktit se deri në minutën e 69-të ishte në disavantazh prej dy golave.
Mati Kash (37’) dhe Filipe Kutinjo (69’) i dhanë avantazhin prej dy golave skuadrës nga Birmingam, mirëpo vendasit e Sitit arritën që të shkrijnë këtë epërsi të kundërshtarit në interval prej vetëm 5 minutash.
Rezervisi Ilkaj Gjundogan doli të jetë heroi i kampionëve të ri të Anglisë, duke shënuar dy gola (76’, 81’), derisa një gol tjetër për Mançester Sitin realizoi spanjolli, Rodri (78’).
Për Sitin ishte ky titulli i katërt në 5 vitet e fundit dhe gjithsej i 8-ti në histori. Skuadra e Pep Guardiolas e mbylli sezonin 2021/2022 me 93 pikë, vetëm një më shumë se Liverpulli i Jurgen Klop, që në ndeshjen tjetër, gjithashtu me kthesë, arriti të mund Vulverhemptonin me rezultatin 3:1.
Kësisoj Liverpulli, që shpreson të fitojë edhe një trofe këtë vit, atë të Ligës së Kampionëve, përfundon në pozitën e dytë, duke siguruar sërish Ligën e Kampionëve, bashkë edhe me kampionët e Sitit, si dhe dy skuadrat londineze, Çelzin dhe Totenhamin, Arsenali dhe Mançester Junajtedi do të luajnë në Liga Europa, ndërkohë Uest Hami në Ligën e Konferencës.
Pjesë e Premierligës sezonin e ardhshëm nuk do të jenë Bërnli, Uatfordi dhe Noruiçi i Milot Rashicës. (infOSport.mk)