Voska Sport që nga dita e enjte është transferuar në Strumicë, aty ku skuadra shqiptare nga Ohri, të dielën do të zhvillojë ndeshjen për jetë a vdekje kundër Tikveshit, njofton “infOSport.mk”.
Kjo ndeshje do të përcaktojë se cila prej këtyre dy skuadrave edicionin e ardhshëm do të luaj në mesin e më të mirëve në futbollin vendor. Atmofera në taborin e Voska Sport është e shkëlqyeshme, ndërsa kjo mund të jetë vendimtare që kjo skuadër të dielën të bëjë hapin e madh dhe të shkruaj historinë më të re.
“Në Strumicë jemi që nga e enjtja dhe tashmë kemi bërë dy stërvitje. Të gjithë lojtarët janë në kombinim, mirëpo ende nuk kemi vendosur se cilët 11 do ta nisin ndeshjen me Tikveshin. Në skuadër ka një atmosferë fantastike dhe lojtarët janë të vetëdijshëm që me fitore të dielën do të shkruajmë historinë me Voska Sport, rast të cilin nuk do e lëshojmë” – është shprehur trajneri Rade Cicmiloviq për faqen zyrtare të Voska Sport, që sezonin e rregullt në Ligën e Dytë – Perëndim, e mbylli në pozitën e dytë, duke lënë pas vetes Vardarin e famshëm.
Ndeshja Tikveshi-Voska Sport në program është të dielën në stadiumin e qytetit “Bllagoj Istatov” në Strumicë me fillim në ora 17:00. (infOSport.mk)