Shkëndija me të përfunduar sezoni i rregullt në elitën e futbollit vendor është vënë në kërkim të një trajneri të ri, i cili do udhëhiqte skuadrën si në garat europiane, ashtu edhe në sezonin e ardhshëm në futbollin vendor, e ku për detyrë trajneri i ri do të kishte rikthimin e titullit në Tetovë.
Siç mëson “infOSport.mk”, javë më parë drejtuesit e Shkëndijës kanë kontaktuar strategun kroat, Dino Skender, i cili së fundmi drejtonte ekipin slloven të Olimpija.
Me këtë skuadër, Skender e kishte mbyllur me 20 mars, ndërsa që nga atëherë është në pritje të ofertave serioze, e një ndër ta pa dyshim se është kjo e Shkëndijës, që edhe herën e fundit kishte trajner nga jashtë vendit, boshnjakun Bruno Akrapoviç.
Ndryshe 38-vjeçari kroat, i cili preferon formacionin 4-4-2, karrierën e trajnerit e kishte nisur te skuadra e vendlindjes së tij, Osijek, duke drejtuar fillimisht ekipin e të rinjëve, e më pas edhe ekipin e parë, edhe atë në 22 ndeshje gjatë vitit 2019-të.
Ai më pas te Osijeku kishte luajtur edhe rolin e koordinatorit të shkollës së futbollit, ndërsa qershorin e vitit 2020 pranoi ofertën e skuadrës së njohur sllovene të Olimpija, të cilën skuadër e ka udhëhequr në dy periudha të ndryshme.
Skender skuadrën sllovene e kishte udhëhequr në gjithsej 47 ndeshje, duke regjistruar 23 fitore, 12 barazime dhe 12 disfata. (infOSport.mk)