Për herë të parë pas vitit 1997, ndodh që një skuadër tjetër gjermane, përveç Bajernit të Munihut të fitoj një trofe europian. Është skuadra e Ajntrahtit të Frankfurtit që triumfoi në finalen e Liga Europa, pasi sonte në “Ramon Sançez Pizhuan” në Seviljë, mundi Gllazgou Renxhersin pas ekzekutimit të penaltive, me rezultatin e përgjithshëm 6:5, njofton “infOSport.mk”.
Ndryshe ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 1:1, ndërsa ky rezultat figuronte në semaforë, edhe pas 120 minutave lojë, me ç’rast penaltitë duheshe të vendosin fituesin e këtij edicioni në kuadër të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm europian në nivel klubesh.
Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa të parët që avansuan në këtë ndeshje, ishin skocezët, kur falë golit të Aribo në minutën e 57-të avansuan ndaj gjermanëve të Ajntraht Frankfurtit.
Këta të fundit u kundërpërgigjën në minutën e 69-të, kur kolumbiani Rafael Borre nga brendia e zonës shënoi në rrjetën e McGregor për barazim të shifrave në 1:1.
Ruleti i penaltive doli të jetë i kobshëm për ekipin skocez, më saktësisht për Aron Ramzi, i cili humbi penaltinë e vetme në këtë ndeshje, në kuadër të serisë së katërt, që më pas në serinë e fundit, kolumbiani Borre, që kishte shënuar në kohën e rregullt, të shënojë edhe golin vendimtarë, për festë në mesin e skuadrës gjermane, që ndoshta edhe e meritoi një gjë të tillë, nga gjithë ajo që kishin treguar në fushën e blertë sonte, por edhe gjatë gjithë këtij kompeticioni, ku ishin të pamposhtur në plotë 13 ndeshje.
Ndryshe ishte ky trofeu i dytë për Ajntrahtin në garat europiane, pas atij në vitin 1980 në kuadër të Kupës së UEFA-s, ndërsa pavarësisht se sezonin aktual në Bundesligë e mbylli në pozitën e 11-të, kjo skuadër edicionin e ardhshëm do të luaj në Ligën e Kampionëve. (infOSport.mk)