Futbolli pa dyshim se është sporti më i dashur në mesin e shumë të rinjëve, të cilët këtë dashuri e shfaqin që nga mosha më e re, duke lozur me top dhe madje duke fejtur me të, e njëkohësisht duke e bërë shok të pandarë të jetës, shkruan “infOSport.mk”.
I tillë është rasti edhe me talentin tetovar, Hisar Aliu, i cili me futboll ka filluar të merret që nga mosha e re, duke u stërvitur me trajner eminent, që kanë lënë gjurmë në futbollin shqiptarë.
Një ndër trajnerët me të cilët është stërvitur, Hisar Aliu – Cali i vitit 2007, është edhe Bashkim Arifi, i cili kujton kohën e para disa viteve, kur kishte vendosur që ta ftoj këtë super talent te gjenerata 2006, në një turne në Prishtinë, e ku “Cali” doli të jetë ndër protagonistët kryesor me golat dhe asistet e tij.
“Unë atë kohë para tre katër viteve isha trajner te gjenerata 2006 dhe kur e pash talentin e Calit duke luajtur me gjeneratën e vetë, menjëherë e mora te ekipi ku unë i stërvitesha. Cali ishte një sulmues i cili donte të shënonte dhe këtë e bënte me mjaft mjeshtri. Sapo erdhi te gjenerata 2006, ne udhëtuam për në Prishtinë në një turne dhe Hisari ishte ndër protagonistët kryesorë, ku arritëm të mbërrijmë deri në finale, ku përballë kishim disa ekipe shumë të fuqishme. Kur u kthyem nga Prishtina, Cali ishte një lojtar standard te gjenerata 2006 dhe e ndihmoi ekipin me cilësitë e tij si me gola, asistime dhe ishte i dashur si me shokët, ashtu adhe me mua si trajner. Cali tani ushtron në akademinë e FFM-së dhe luan me shumë sukses për reprezentacion e Maqedonisë U15. Unë i dëshiroj të vazhdojë me punë dhe të arrijë sa më lartë me futbollin, që e dashuron aq shumë” – tha një nga trajnserët e Calit, Bashkim Arifi, i cili për momentin te Shkëndija po punon me mjaft suksese me gjeneratat e reja, 2013-2014.
Hisar Aliu – Cali, aktualisht është edhe pjesë e Akademisë së futbollit pranë FFM-së, ku mbron me mjaft sukses ngjyrat e përfaqësueses U15 të Maqedonisë.
Pikërisht me këtë të fundit, Hisar Aliu shkëlqeu në ndeshjet kundër Uellsit dhe Malit të Zi, ndaj së cilës kombëtare shënoi dy gola në fitoren 3:2.
Aliu, thjeshtë ishte i pandalshëm ndaj malazezëve, të cilët nuk mund të gjenin kundërpërgjigje për të ndalur këtë super talent, i cili në fund kënaqi edhe trajnerin Dashmir Beari, i cili me mjaft sukses është duke udhëhequr përfaqësuesen U15 të Maqedonisë.
Aliu, ishte një ndër futbollistët më të dalluar edhe në ndeshjen ndaj Uellsit, duke u shndërruar shumë shpejt në një lider edhe te përfaqësuesja U15.
Siç thotë një fjalë popullore, lider lindesh, nuk bëhesh, ndaj dhe lirisht mund të themi se Hisar Aliu është lindur për të qenë lider i skuadrave ku ai luan, përfshirë këtu edhe Shkëndijën, me të cilën skuadër ka shumë ëndërra të mëdha, që fillimisht të debutojë me ekipin e parë, e më pas të arrijë suksese si në kampionatin vendor, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. (infOSport.mk)