Sot hidhet shorti për ndeshjet e balotazhit për inkuadrim në Ligën e Parë

Sot në hapësirat e Federatës së Futbollit të Maqedonisë me fillim në ora 12:00 do të hidhet shorti për ndeshjet e balotazhit për inkuadrim në Ligën e Parë, njofton “infOSport.mk”.

4 skuadra janë gjithsej në garë, teksa vetëm dy prej tyre do të mund të luajnë në Ligën e Parë. Fjala është për skuadrat si Skopje dhe Tikveshi, që janë pjesë e elitës, mirëpo pikët që tubuan gjatë sezonit të fundit nuk ju siguruan atyre pozitat e duhura në renditje, ashtu që vetëm përmes ndeshjeve të balotazhit mund të konfirmohen sërish si pjesë e Ligës së Parë, edhe atë gjithnjë nëse do jenë më të mirë se dy skuadrat e dyta nga Liga e Dytë – Perëndim dhe Lindje, Voska Sport dhe Bellasica.

Mbetet të shihet se cilën me cilën skuadër do të caktojnë goglat sot, ndërsa dihet tashmë data kur edhe do të zhvillohen këto takime.

Që të dyja këto ndeshje do të zhvillohen me datë 22 maj, ndërsa edhe pse nuk janë përcaktuar zyrtarisht stadiumet ku do të zhvillohen të njëjtat, me shumë gjasa Prilepi dhe Shtipi do të mirëpresin takimet vendimtare nga këto përballje. (infOSport.mk)

Leave a Reply