Reagimi i çuditshëm i drejtuesve të Tikveshit! Injorojnë arenën “Todor Proeski”, për të luajtur në Prilep!

Gjatë ditës së sotme u hodh shorti për ndeshjet e balotazhit, përmes të cilave 4 skuadra do të kërkojnë dy vendet e mbetura për në Ligën e Parë. Në mesin e tyre është edhe skuadra shqiptare e Voska Sport, që në balotazh do të përballet me Tikveshin, ndërsa në ndeshjen tjetër do të përballen Skopje dhe Bellasica.

Ndeshja mes këtyre dy skuadrave të fundit do të zhvillohet në Shtip, ndërsa ajo midis Tikveshit dhe Voska Sport, edhe pse fillimisht u vendos të luhet në Prilep, e njëjta do të zhvillohet në arenën “Todor Proeski” në Shkup, shkruan “infOSport.mk”.

Pikërisht ky vendim i marrë nga ana e Komisionit të garave pranë FFM-së shkaktoi reagime të shumta nga tabori i skuadrës së Tikveshit, që në një farë mënyrë mund të llogariten edhe si të çuditshme.

Kur të gjithë dëshirojnë të luajnë nëpër fusha dhe stadiume moderne, siç është ai në kryeqendrën tonë, e ku vite më parë u zhvillua edhe finalja e madhe e SuperKupës së Europës, e në të cilin kanë luajtur shumë skuadra të mëdha, por edhe kombëtare shumë të njohura, këta nga Kavadari po kërkojnë që e njëjta të luhet në Prilep, një stadium i cili nuk i plotëson fare kushtet për një ndeshje shumë të rëndësishme, siç është ajo midis Tikveshit dhe Voska Sport, e ku pritet të ketë tifozëri nga të dyja skuadrat. Pikërisht frika nga ndonjë përleshje mes tifozërive bëri që nga FFM të ndryshojnë vendimin, ndërsa të njëjtit tashmë gjithë barën i’a heshin MPB-së, që do të ketë fjalën e fundit, nëse policia e vendit mund të  mbajë rendin e duhur në Prilep, apo në stadiumin me kapacitetin më të madh në Shkup.

Në rast se arena “Todor Proeski” do të mirëpriste këto dy skuadra, atëherë 22 maji mund të jetë një festë e vërtetë futbolli, pasi ky stadium ofron kushte shumë më të mira edhe në rast se do kishte grupe të organizuara tifozësh, qoftë nga Voska Sport, apo edhe Tikveshi. Kujtojmë, të dyja ndeshjet e balotazhit do të zhvillohen të dielën që vjen me fillim në ora 17:00. (infOSport.mk)

Leave a Reply