Shkëndija përforcimet i nis nga porta! Transferimi i parë vjen nga Shqipëria!

Shkëndija të dielën do të zhvillojë ndeshjen e fundit të sezonit 2021/2022. “Kuqezinjtë” nga Tetova sezonin e mbyllin me transfertën në qytetin e bukur të Strugës, aty ku do të përballen me Struga Trim Lum, shkruan “infOSport.mk”.

Pavarësisht rezultatit përfundimtarë, Shkëndija do të mbyll këtë edicion në pozitën e tretë, duke siguruar në këtë mënyrë daljen në Europë për të 11-tin vit me rradhë, këtë herë në Ligën e Konferencës, aty ku garoi edhe vitin e kaluar, pas eliminimit në raundin e parë të Ligës së Kampionëve nga sllovenët e Mura.

Edicioni i kaluar në Europë ishte ndër më të dobëtit në erën e “Ecolog”, ndërsa për të mos përsëritur një gjë e tillë edhe këtë edicion, drejtuesit e klubit tetovar që tani kanë filluar të mendojnë për përforcimet e reja me në krye Drejtorin Sportiv, Artim Shaqiri.

Informacionet e “infOSport.mk” bëjnë me dije se Shkëndija përforcimin e skuadrës pritet ta nisë nga porta, duke sjellë në skuadër një portier nga Superliga shqiptare, i cili do konkurronte me Kostadin Zahov.

Fjala është për Alen Sherrin e Laçit, i cili i pakënaqur nga statusi te skukadra laçiane, dëshiron të ndryshojë ambient.

Bëhet fjalë për një portier 24-vjeçar, i gjatë 197 cm, që në të kaluarën ka qenë edhe pjesë e Kombëtares U21 të Shqipërisë. Sherri te Shkëndija do të zinte vendin e Bekim Rexhepit, i cili me shumë gjasa nuk do të rikthehet te skuadra tetovare, pas eksperiencës së fituar në Shqipëri me skuadrën e Skënderbeut, e ku ka gjasa sërish të vazhdojë karrierën, duke vazhduar të luaj në Superligë, këtë herë me skuadrën e Partizanit.

Janë këto vetëm thashethemet e para që kanë të bëjnë me Shkëndijën dhe Superligën shqiptare, kur është në pyetje merkatoja e verës, ndërsa presim çfarë do të ndodh realisht dhe çfarë futbollistë do na sjellë Shkëndija e Lazim Destanit, që vitin tjetër do të duhet të rrëzojë nga troni FC Shkupin, që këtë vit u shpall kampion në Maqedoninë e Veriut.  (infOSport.mk)

Leave a Reply