FC Shkupi tashmë disa javë më herët ka siguruar titullin e kampionit, teksa të dielën që vjen në Çair pritet një festë e madhe gjatë ndeshjes së fundit të sezonit 2021/2022 që kjo skuadër do ta zhvillojë kundër Akademia Pandev. Pritet të jetë kjo një super përballje, duke pasur parasysh se takohen dy skuadrat më të mira të sezonit, ndërsa përveç festës në stadium, e njëjta pritet të zgjatë deri në orët e vona edhe në sheshin “Skënderbeu” të Shkupit, ku do të performojë edhe këngatëri i mirënjohur shqiptarë, Ledri Vula.
Paraprakisht pas përfundimit të ndeshjes në stadiumin e Çairit, futbollistëve të FC Shkupit do ju ndahet trofeu i më të mirit, që i jep mundësinë kësaj skuadre që këtë edicion të prezantojë Maqedoninë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve.
Duke pasur parasysh koeficientin e dobët, FC Shkupi bënë pjesë në mesin e skuadrave jo bartëse në këtë short, ashtu që përballë pritet të ketë kundërshtarë të njohur europian.
Ndër kundërshtarët e mundshëm të FC Shkupit, janë: Malmo (Suedi), Karabah (Azerbejxhan), Ludogorets (Bullgari), Sherif Tiraspol (Moldavi), Bodo/Glilmt (Norvegji), Ferencvarosh (Hungari), Slovan Bratislava (Sllovaki), Helsinki (Finlandë), Shamrok Rovers (Irlandë), Linkoln (Gjibraltar), Nju Seints (Uells), Zhalgiris (Lituani).
Ndeshjet e raundit të parë në kuadër të Ligës së Kampionëve, në program do të jenë me 5/6, gjegjësisht 12/13 korrik.
Në rast se FC Shkupi kalon këtë raund, atëherë do të luaj në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, ndërsa në rast eliminimi skuadra nga Çairi, aventurën europiane do ta vazhdojë në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, aty ku do të garojnë edhe Shkëndija dhe Akademia Pandev. (infOSport.mk)