Izair Emini gati për ndeshjen me Sileksin!

Izair Emini mu në momentin e duhur do të rikthehet në fushat e futbollit, pas atij dëmtimi që pësoi javë më parë, e ku si pasojë mungoi në dy nga ndeshjet më të rëndësishme të Voska Sport, atë kundër Vardarit dhe Besës nga Dobërdolli, njofton “infOSport.mk”.

Në këto dy ndeshje skuadra shqiptare nga Ohri, që vazhdon të jetë pretendenti kryesor për atë pozitë të dytë në Ligën e Dytë të Perëndimit, regjistroi një disfatë dhe një fitore.

Në të dyja këto ndeshje vërehej mungesa e kapitenit, Emini, i cili njëherit është edhe golashënuesi më i mirë i Voska Sport, por edhe në Ligën e Dytë – Perëndim.

Emini në 21 ndeshje me fanellën e Voska Sport, ka regjistruar 17 gola dhe 14 asistime, ndërsa i njëjti pritet që të kontribuojë për skuadrën edhe në ndeshjen vendimtare kundër Sileksit fundjavën e ardhshme, që mund të vendos edhe fatin e skuadrës së Nefi Useinit, nëse kjo e fundit do të luaj në ndeshjen e balotazhit të 22 majit, përmes së cilës do të kërkonte inkuadrimin në Ligën e Parë.

Kujtojmë dy kundërshtarët e mundshëm të Voska Sport, janë Tikveshi dhe Skopje. (infOSport.mk)

Leave a Reply