Nëse denoncimi i Sali Berishës në vitin 2019 do të rezultojë i vërtetë, atëherë në krye të Ujësjellësit të Laçit, Partia Socialiste ka vendosur një profesionist të vërtetë. Jo në menaxhimin e Ujësjellësit, por në vjedhjen e vilave. Sepse sipas Berishës, Alfred Prodani që u arrestua sot për llogari të Interpolit është autor i grabitjes së shtëpisë së sulmuesit të Realit të Madridit, Karim Benzema.
Sipas denoncimit të Berishës, veç drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve në Kurbin, Alfred Prodani, akuzohej edhe përgjegjësi i Pallatit të Kulturës, Dritan Paja.
Në mesazhin që një qytetar nga Laçi i ka dërguar Berishës thuhet se Prodani dhe Paja nuk janë në krye të detyrës, pasi ndodhen të arrestuar në Spanjë.
“Një pyetje nga qytetari i Laçit për Edvinin: Ku janë dy narkodrejtorë që janë zhdukur?!”, shkruan Berisha, duke vijuar me publikimin e denoncimit: “Përshëndetje z. Berisha, jam një qytetar nga Laçi. Ma pyet pak Kryeministrin ku ndodhen dy drejtorët, njëri prej të cilëve i Ujësjellësit, apo janë në burg në Spanjë, ku akuzohen për vjedhjen e shtëpisë së futbollistit të Real Madridit, Benzema. Qyteti i Laçit është pa dy drejtorë”.