Fitore e çmendur e Xhenoas ndaj Juves, Interi merr kreun përkohësisht (VIDEO)

Një ndeshje plot emocione është zhvilluar në “Maraci”, aty ku Xhenoa ka përmbysur Juventusin në minutat shtesë dhe ka marrë tre pikë të arta në luftën për mbijetesë.

Dybala kaloi “bardhezinjtë” në avantazh në pjesën e dytë, por Gudmundsson në minutën e 87-të dhe një penalti e kapitenit Krishito në minutën e 6-të shtesë i kanë dhuruar fitoren skuadrës së Xhenoas, që tashmë me 28 pikë renditet në pozitën e 18-të, vetëm një pikë larg pozitës së 17-të që siguron mbijetesën, e që aktualisht mbahet nga Salernitana.

Interi edhe përkundër disavantazhit 0:2, në fund arriti një fitore të madhe 4:2 përballë Empolit të Emir Bajramit, Ardijan Ismajlit dhe Kristian Asllanit.

Ky i fundit shënoi golin e dytë për Empolin në minutën e 28-të, kur shtangu të pranishmit në “Xhuzepe Meaca”, pasi në ato momente Empoli i shqiptarëve po avansonte me rezultatin 2:0.

Megjithatë “zikaltërit” u kundërpërgjigjen që në pjesën e parë, kur falë autogolit të Romanjolit dhe golit të parë të Lautaro Martinez, në pushim shkuan me rezultatin e barabartë 2:2.

Martinez në minutën e 64-të për herë të parë kaloi në epërsi Interin në këtë ndeshje, ndërsa Aleksis Sançez në minutën e katërt shtesë shënoi edhe golin e katërt për skuadrën e Simone Inzaghi, që në këtë mënyrë arkëtoi 3 pikë mjaft të vlefshme, me të cilat përkohësisht renditet në pozitën e parë me 78 pikë, një më shumë se Milani, që ndeshjen e javës së 36-të do ta zhvillojë të dielën kundër Veronës në transfertë. (infOSport.mk)

Leave a Reply