Reali e bëri sërish! Një rikthim fenomenal dërgoi “mbretërit” në finalen e madhe përballë Liverpullit

Real Madridi ka zhvilluar një tjetër ndeshje magjike këtë edicion në Ligën e Kampionëve. Skuadra e Karlo Ançelotit edhe përkundër disavantazhit 1:0 që kishte sonte përballë Sitit, falë golave të shënuar nga Rodrygo në frymën e fundit të kohës së rregullt (90′, 91′) bëri një rikthim fenomenal, duke bërë që në fund të shënojë fitore 2:1 dhe të dërgojë ndeshjen në kohën shtesë prej dy herë nga 15 minutash.

Në shtesën e parë Karim Benzema realizoi nga pika e bardhë, duke çuar shifrat në 3:1, që i siguruan Realit finalen e madhe kundër Liverpullit, që mbrëmë eliminoi Viljarealin, pasi edhe në ndeshjen e dytë mundi Viljarealin, këtë herë me rezultatin 3:2.

Do të jetë kjo një reprizë e finales së vitit 2018-të, kur Reali në Kiev kishte fituar me rezultatin 3:1.

Në anën tjetër Mançester Siti dështoi të luante në finalen e dytë rradhazi, pasi vitin e kaluar u mund nga Çelzi.
Pasi luajtën një ndeshje shumë të fortë një javë më parë në “Etihad Stadium”, kur dhe fituan me rezultatin 4:3, sot skuadra e Pep Guardiolas kontrolloi ndeshjen në pjesën më të madhe të ndeshjes.

Rijad Mahrez kaloi mysafirët në avantazh në minutën e 73-të, duke mposhtur më në fund Tibo Kurtuan, i cili bëri disa pritje të tjera shumë të rëndësishme.

Reali nuk kishte bërë asnjë goditje brenda kuadrantit deri në minutën e 89-të. Megjithatë, skuadra kampione angleze dështoi të mbrohej në minutat e fundit dhe tashmë do të mund të përqendrohet vetëm në betejën për titullin në Premierligën angleze.

Ky sezon në Ligën e Kampionëve për Realin e Madridit ishte një triller i vërtetë, pasi skuadra e Karlo Ançelotit arriti të shpëtojë në mënyrë fantastike ndaj Paris Sen Zhermenit, pastaj në ndeshjen e kthimit kundër Çelzit dhe sonte kundër Mançester Sitit. (infOSport.mk)

Leave a Reply