Gjilani dhe Drita janë ndarë barazim në derbin e Anamoravës dhe kjo ka mjaftuar që Ballkani të shpallet edhe zyrtarisht kampion i ri në elitën e futbollit kosovar.
Takimi i zhvilluar të mërkurën në stadiumin me bar sintetik në Gjilan, përfundoi 0:0 dhe i takoi xhiros së 33-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Në këtë ndeshje më shumë nga loja pati skuadra e Dritës e Ardian Nuhiut që qëlloi edhe shtyllën me Almir Kryeziun në minutën e 30-të.
Pas 33 xhirove, Gjilani ka 59 pikë dhe renditet në pozitën e dytë, ndërsa Drita me dy pikë më pak renditet një vend më poshtë.
Skuadra e Ballkanit nga Suhareka kështu bëhet kampion me 70 pikë, kur kanë mbetur edhe 3 xhiro deri në mbyllje të sezonit, edhe pse skuadra e trajnerit Ilir Daja deri në fund do të zhvillojë edhe 4 ndeshje, përfshirë këtu atë të nesërmen kundër Malishevës.
Ky është titulli i parë në histori të kubit nga Suhareka që është nën menaxhimin e presidentit Arsim Kabashi.