Një tjetër talent i madh i futbollit që jeton dhe bën karrierë të suksesshme në Gjermani ka vendosur të luajë për përfaqësuesen e Kosovës.
Fjala është për 19-vjeçarin Arbnor Aliu, i cili aktualisht luan me ekipin e U19 të Schalke 04.
Ai luan si qendërmbrojtës dhe është ndër shpresat e mëdha të klubit gjerman, me të cilin ka kontratë deri në qershor të vitit 2024.
Talenti dhe përvoja e tij si lider janë të padiskutueshme, ngase që nga mosha e tij e hershme ishte pjesë e të gjitha ekipeve zinxhirë të Kombëtares së Gjermanisë, madje edhe në rolin e kapitenit.
Ai është shprehur i lumtur që do të luajë për Kosovën dhe beson se do të japë më të mirën e tij.
“E kam zgjedhur Kosovën me zemër sepse prindërit vijnë nga Kosova dhe e di që me paraqitjen time në fanellën e Kosovës do ta bëj krenar familjen dhe veten time. Ndihem shumë i lumtur që do të jem pjesë e Dardanëve sepse kam punuar shumë për ta merituar këtë fanellë. Normalisht se nuk ka qenë e lehtë të tërhiqem nga përfaqësimi i Gjermanisë sepse krejt çfarë kam arritur deri më tash është falë Gjermanisë, por në këtë aspekt e kam dëgjuar ndjenjën dhe zemrën time”, ka theksuar Aliu.
Arbnori do të përfshihet fillimisht te Kosova U21, por duke pasur parasysh potencialin dhe cilësitë që zotëron, atëherë pa dyshim se në të ardhmen e afërt pritet të jetë edhe në shërbim të ekipit të parë përfaqësueses të Kosovës.