Levante nuk po kalon momente edhe aq të mira këtë edicion në La Liga, ndërsa këtë fundjavë aspak momente të mira nuk ka kaluar edhe futbollisti shqiptarë i kësaj skuadre, Shkodran Mustafi, i cili ka përjetuar një eksperiencë shumë të hidhur të dielën mbrëma, të cilën me siguri nuk do ta harrojë kurrë.
Sipas raportimeve të “Superdeporte”, shtëpia e futbollistit shqiptarë të Levantes është sulmuar kur futbollisti ndodhej brenda.
Sipas burimit të lartpërmendur, hajnat ishin tre persona me kapuç, të cilët morën para, bizhuteri, orë dhe çanta.
Fatmirësisht, ata nuk ushtruan dhunë kur zbuluan praninë e Mustafit në shtëpi. Në fakt, sipas versionit të publikuar nga “Superdeporte”, kur hajdutët zbuluan se lojtari gjerman ishte brenda shtëpisë, ata zgjodhën të largoheshin.
Hyrja në shtëpinë e futbollistit shqiptarë me origjinë nga Gostivari, u bë nga një dritare ballkoni, derisa lojtari e kuptoi prezencën e tyre, gjysmë ore më vonë.
Futbollisti ka bërë tashmë denoncimin përkatës dhe llogarit se plaçka e hajnave, duke përfshirë para, bizhuteri apo orë, mund të arrijë në rreth një milion euro.