Java e 29-të në elitën e futbollit vendor kaloi nën hijen e takimit derbi në Çair midis FC Shkupit dhe Renovës, aty ku vendosej edhe titulli kampion.
Edhe pse FC Shkupi hasi në shumë vështirësi përballë skuadrës nga Tetova, në fund ata arritën të shënojnë fitore dhe të festojnë bashkë me “Shvercerat” titullin e parë kampion prej kur se skuadra nga Çairi mban emrin “FC Shkupi” dhe gjithsej të katërtin në historikun e kësaj skuadre, shkruan “infOSport.mk”.
2:0 doli të jetë rezultati përfundimtarë i takimit të shumëpritur në Çair, falë dy golave të shënuar në 10 minutëshin e fundit të takimit.
I zakonshmi, i përhershmi, më i miri, goleadori Sandej Adentunxhi në minutën e 81-të me kokë shënoi golin e çlirimit, ndërsa në minutat shtesë të takimit, braziliani Inasio Da Silva shënoi golin e festimit, pasi në ato momente thuajse gjithë tifozët u futën brenda në fushë për të festuar titullin kampion.
Vërtetë pamje që nuk duhet harruar gjatë kohë, pamje sikur nga stadiumet latino amerikane, atje ku jetohet për futboll, atje ku që në fëmijëri zemra të rrah për skuadrën e lagjes, qytetit, ndërsa këtë më së miri e dëshmuan edhe tifozët e FC Shkupit, “Shvercerat”, që deri tek ky titull, edhe atë 4 xhiro para fundit të sezonit 2021/2022, kishin pritur plotë 21 vite.
Si duket durimi dhe përkushtimi ndaj skuadrës së zemrës u pagua më në fund, ndërsa neve si “infOSport.mk” nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se ti urojmë kampionët e ri dhe të ju urojmë shumë suksese në garat ndërkombëtare. (infOSport.mk)