Struga Trim Lum – Makedonija GJ.P është ndeshja më interesante gjysmëfinale e Kupës, që do të zhvillohet sot në qytetin e bukur të Strugës. Është ky një shans i artë për këtë qytet që për herë të parë në histori të sheh një skuadër që do të luftonte për trofeun e më të mirit në vend, kompeticion ky i dyti për nga rëndësia në futbollin vendor, pas titullit kampion, shkruan “infOSport.mk”.
Rëndësinë e këtij takimi e dinë që të gjithë, nisur nga vetë futbollistët, stafi, drejtuesit, por edhe tifozët strugan, të cilët sot mund të jenë lojtari i 12-të i Struga Trim Lum.
Kështu mendon edhe zëvendës kapiteni, Besmir Bojku, i cili beson se në fund së bashku me gjithë tifozët që do e përkrahin skuadrën, do të festojnë kualifikimin për në finalen e madhe të 20 majit.
“Mendoj se ëshë një ndër ndeshjet më të rëndësishme të klubit. Është vetëm një ndeshje, luajmë në stadiumin tonë, janë vetëm 90 minuta për të shkruar historinë më të re, për të luajtur për herë të parë në finale si ekip dhe për të shpërblyer Presidentin dhe Drejtuesit e klubit që na kanë qëndruar pas edhe në kohë kur kemi patur kriza. Gjejë rastin të ju bëjë thirrje të gjithë struganëve të vijnë të na përkrahin në stadiumin e qytetit dhe në fund të ndeshjes të festojmë së bashku” – u shpreh Besmir Bojku për faqen zyrtare të klubit strugan.
Ndeshja Struga Trim Lum – Makedonija Gj.P starton në ora 16:00, kohë në të cilën në Manastir do të zhvillohet edhe gjysmëfinalja tjetër, Pelisteri – Sileksi.
Fituesit nga këto dy përballje do të takohen në finalen e madhe që do të zhvillohet në Shkup.