Shkëndija ishte shumë pranë fitores në derbin lokal ndaj Renovës, mirëpo një gol i shënuar nga Shefit Shefiti në minutën e 88-të, u mohoi fitoren “kuqezinjëve”, të cilët si duket që 6 javë para fundit të kampionatit po përshëndeten me titullin e kampionit, shkruan “infOSport.mk”.
Ndryshe ndeshja nisi mirë për ekipin e Shkëndijës, skuadër kjo që avansoi me eurogolin e Ferhan Hasanit në minutën e 36-të. Buba në ato momente na rikujtoi në kohërat e tij më të mira, kur shpeshherë shënonte gola të këtillë para tifozëve tetovar.
Me këtë gol u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën të dyja skuadrat kishin rastet e tyre, mirëpo pa arritur të realizojnë ndonjërën prej tyre, kjo deri në minutën e 88-të, kur Shefit Shefiti shfrytëzoi një harkim në zonën e vendasve.
Mirëpo paraprakisht këtij goli i parapriu një kundërsulm i vendasve të Shkëndijës, mirëpo Lupçe Doriev nuk u gjind më së miri para zonës së “gjipspunuesve”, ndërsa në vazhdim të aksionit, pas shumë kombinimeve dhe një super asisti të Fiznik Zukës, ish sulmuesi “kuqezi”, Shefit Shefiti me kokë arriti që të barazojë shifrat në 1:1.
Ky rezultat doli të jetë edhe përfundimtarë, pasi nuk kishte edhe shumë kohë për të dyja skuadrat, që në fund duheshin të kënaqeshin me nga një pikë.
Ishte ky barazimi i 10-të për Shkëndijën këtë edicion dhe i 11-ti për Renovën, që edhe në vitin e dhytë me rradhë nuk do të mund të luaj në garat europiane, ndërsa Shkëndija me shumë gjasa do të na prezantojë në Ligën e Konferencës.
Aktualisht Shkëndija ndodhet në pozitën e dytë me 52 pikë, po aq sa ka edhe Akademia Pandevi në pozitën e tretë, ndërkohë Renova me 38 pikë renditet në pozitën e 5-të. (infOSport.mk)