FC Shkupi ka regjistruar edhe fitoren e rradhës në ndeshjet kampionale, duke ecur kështu me hapa të sigurtë drejt titullit kampion, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra nga Çairi në ndeshjen e vlefshme të javës së 27-të mundi Borecin me rezultatin 3:1, duke bërë diferencën në pjesën e dytë, kur Margviashvili dhe Adentunxhi shënuan dy gola mjaft të bukur. Sa i përket pjesës së parë, që u mbyll me shifrat 1:1, aty fjalën kryesore e pati Faustin Senghor i Shkupit, që realizoi të dy golat, nga një në secilën anë.
Struga Trim Lum falë golit të shënuar nga Sava Radiç mundi ekipin e Skopjes me rezultatin minimal 1:0, ndërkohë derbi tetovar Shkëndija – Renova u mbyll me barazimin 1:1.
Me po të njëjtin rezultat u mbyll edhe ndeshja në Gjorçe Petrov midis Makedonija GJ.P dhe Bregallnicës, Akademia Pandevi mundi Pelisterin me shifrat 2:0, ndërkohë në ndeshjen e parë të ditës së sotme, Rabotniçki falë golit të shënuar nga Maksimov mundi Tikveshin me rezultatin minimal 1:0. (infOSport.mk)