Lajme aspak të mira për Atalantan pas humbjes ndaj Napolit të Spalletit. Skuadra nga Bergamo rrezikon që të humbasë Berat Gjimshitin deri në fund të sezonit.
Mbrojtësi shqiptar u dëmtua gjatë ndeshjes ndaj “napolitanëve”, duke u larguar nga fusha në minutën e 63-të, pas një dëmtimi në shpatull.
Testet mjekësore konfirmuan dëmtimin e futbollistit të kombëtares shqiptare, i cili pritet që të mungojë rreth një muaj.
Klubi bergamask nuk ka konfirmuar ende afatin e rikuperimit, por me shumë mundësi futbollisti shqiptar pritet të mungojë në ndeshjet e mbetura.
Me Demiral që po rikthehet nga dëmtimi dhe Palominon, Atalanta do të rigjejë edhe Toloin, i cili ka qenë jashtë fushave në javët e fundit.
Atalanta fundjavën që vjen do të përballet me Sassuolon në transfertë. Pas 31 xhirove, skuadra e Gjimshitit renditet në pozitën e 7-të, mirëpo ende me gjasa reale për të siguruar të paktën një vend për në ndeshjet e Liga Europa, apo Ligës së Konferencës.