Nuk mjafton goli i Rashicës, Kosova dhe Zvicra në fund ndahen me barazim (VIDEO)

Kosovë stabile, Kosovë mirë e organizuar në fushën e lojës, e mbi të gjitha sy pa trembur ndaj një kundërshtari shumë të fortë që kishte përballë sonte, Zvicrën e Xhakës dhe Shaqirit, njofton “infOSport.mk”.

Pikërisht dyshja shqiptare ishin udhëheqësit e “helvetikëve”, me Xhakën që para ndeshjes morri një dhuratë nga Federata Zvicerane e futbollit si rikujtim për ndeshjen e tij të 100-të që zhvilloi sot me fanellën e Zvicrës.

Granit Xhaka mbante edhe shiritin e kapitenit, i cili më pas iu dorëzua edhe Xherdan Shaqirit, ndërsa vlen të theksohet se nga minuta e 81-të në lojë te Zvicra u inkuadrua edhe shqiptari i tretë, Andi Zeqiri, në adresë të të cilit tifozët e Kosovës para ndeshjes kishin përgatitur një pankartë, ku ndër tjerash shkruhej: “Andi tregtari, pazargji i natës, mashtrues i Kombëtares”.

Ndryshe sa i përket rezultatit përfundimtarë të takimit të zhvilluar në Cyrih, në fund Zvicra dhe Kosova barazuan me shifrat 1:1, me të dy golat që u shënuan gjatë pjesës së dytë.

Kosova avansoi e para me golin e Milot Rashicës, i cili u tregua shumë fleksibil në një rrëmujë të krijuar para portës “helvete”, duke realizuar golin e avantazhit pas 7 minutave lojë në pjesën e dytë.

Kundërpërgjigjja erdhi shumë shpejtë, pasi në minutën e 61-të, Zvicra barazoi shifrat me anë të Lotombas, gol ky që në fund u tregua edhe si i fundit i këtij takimi të zhvilluar në stadiumin e Cyrihut, aty ku mbizotëroi një atmosferë e shkëlqyer e krijuar mes dy tifozërive, e në veçanti asaj shqiptare, që ishte në numër shumë të madh. (infOSport.mk)

Leave a Reply