Italia nuk fal Turqinë, barazim mes Holandës dhe Gjermanisë, fitore për Spanjën, Anglinë dhe Francënë (VIDEO)

Mbrëmja e sotme përveç ndeshjeve finale të “play-off” për kualifikim në Botërorin e Katarit, kishte rezervuar edhe disa miqësore mjaft interesante, shkruan “infOSport.mk”.

Italia e Mançinit pas eliminimit nga Maqedonia në gjysmëfinale të fazës “Play-Off”, ka mundur sonte si mysafire Turqinë, që gjithashtu ishte mundur në gjymëfinale nga Portugalia.

Një fitore me shifrat 3:2 nga “axurrët” erdhi si një autokritikë për atë humbje ndaj Maqedonisë që tronditi jo pak kombëtaren italiane.

Xhengiz Under vetëm pas 4 minutave lojë kaloi në epërsi turqit, mirëpo Italia brenda 4 minutave arriti që të rikthejë rezultatin në favorin e saj, duke shkuar kështu në pushim me shifrat 2:1, falë golave të shënuar nga Kristante (35’) dhe Raspadori (39’).

Ky i fundit në minutën e 69-të shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Italinë, ndërkohë 7 minuta para fundit të takimit Dursun shënoi golin e dytë për Turqinë, që në fund vleu vetëm për statistikë.

Spanja realizoi një “manita” ndaj Islanës, falë golave të shënuar nga Morata (37’, dhe 40’), Pino (47’) dhe Sarabia (61’, 73’).

Anglia nuk fali Bregun e Fildishtë, duke triumfuar me shifrat 3:0. Watkins në minutën e 30-të dhe Sterling në minutën e 45-të shënuan golat e pjesës së parë, ndërsa në minutën e katërt shtesë të ndeshjes, Mings shënoi edhe golin e tretë ndaj Bregut të Fildishtë, që mbeti më 10 lojtarë që nga minuta e 40-të, kur Aurier doli me të kuq, pas kartonit të dytë të verdhë.

Një tjetër përballje interesante ishte edhe ajo mes Holandës dhe Gjermanisë, ndeshje kjo që u mbyll me barazimin 1:1. Myller kaloi në epërsi Gjermaninë në minutën e fundit të pjesës së parë, ndërsa barazimi do të vinte vetëm në minutën e 68-të, kur Bergëijn shënoi në rrjetën e Nojer.

Një tjetër fitore për kombëtaren franceze, e cila triumfoi me shifrat 4:0 përballë Afrikës së Jugut, që ndeshjen e kishte mbyllur me 10 futbollistë. Olivie Zhiru shënoi sërish për “gjelat”, ndërsa në listën e golashënuesve gjithashtu u regjistruan edhe Kylian Mbappe, që realizoi “dopietë” dhe Ben Jeder. (infOSport.mk)

Leave a Reply