Kombëtarja e Italisë do të zhvillojë nesër një ndeshje miqësore ndaj Turqisë. Italianët dhe turqit mbetën pa Botëror pasi u eliminuan në gjysmëfinalet e “play-off”, por vendosën të zhvillojnë një ndeshje miqësore kundër njëri-tjetrit.
Në Itali janë ende në shok pas disfatës së papritur nga Maqedonia, e cila festoi pak ditë më parë në Palermo me rezultat 1:0, falë një goli të shënuar nga Aleksandar Trajkovski në minutën e 92-të.
Edhe përkundër paralajmërimeve për një shkarkim të mundshëm të Roberto Mançinit nga posti i seleksionueist, ky i fundit në një konferencë për shtyp, tha se do të mbetet trajner i Italisë dhe se fokusi kryesor tashmë do të jetë përgatitja për Kampionatin e ardhshëm Evropian, ku “axurrët” do të tentojnë mbrojtjen e titullit.
Pas ndeshjes ndaj Maqedonisë së Veriut, Mançini shkaktoi shumë polemika pasi vendosi të dërgojë në shtëpi Insinjen, Immobilen dhe Zhorzhinjon, pra ata u kthyen në klubet e tyre. Megjithatë, trajneri i Italisë ka shpjeguar se nuk janë të vetmit që janë larguar nga kampi i kombëtares dhe ka shpjeguar se pse e ka marrë një vendim të tillë.
“I kam detyruar të kthehen në klube sepse patjetër që nuk do të luajnë nesër. Është më mirë që ata të përgatiten për ndeshjet e klubeve të tyre sesa të udhëtojnë me kombëtaren në Turqi dhe të ulen atje në pankinë apo në tribuna.“- tha Mançini.