Enis Bardhi, autori i golit të fitores së madhe ndaj Italisë, Aleksandar Trajkovski dhe seleksionuesi, Bllagoja Milevski, prej sot në udhëtimet e tyre do t’i përdorin pasaportat e tyre diplomatike.
Me kontributin e tyre në suksesin e ekipit përfaqësues në futboll, ata tashmë janë diplomatë të cilët e përfaqësojnë vendin në mënyrën më të mirë.
Po këta emra, bashkë me pjesën tjetër të skuadrës, të martën do të kenë edhe një test tjetër, ndoshta më të rëndësishmin në historikun e futbollit vendor, kur në Porto në stadiumin “Dragao” para 50 mijë tifozëve do të kërkojnë fitoren ndaj Portugalisë së Kristiano Ronaldos, përmes së cilës do të prenin biletën për në Botërorin e këtij viti që do të mbahet në Katar.
Vërtetë do ishte ky një ndër sukseset më të mëdha në histori, pas kualifikimit në Europianin e fundit, edhe atë gjithë këto arritje nën udhëheqjen e presidentit shqiptarë, Muhamed Sejdini. (infOSport.mk)